Thomas Tuchel në krye të Anglisë deri në EURO 2028

Nga A2 CNN
12 Shkurt 2026, 18:40 | Futboll

Thomas Tuchel në krye të Anglisë deri në EURO 2028

Anglia ka konfirmuar se Thomas Tuchel ka zgjatur kontratën si trajner i kombëtares deri në vitin 2028, vit kur vendi do të presë Kampionatin Evropian së bashku me Irlandën, Skocinë, Uellsin dhe Irlandën e Veriut. Gjermani mori drejtimin e “Tre Luanëve” në janar 2025 dhe menjëherë solli rezultate mbresëlënëse, duke e mbyllur fushatën kualifikuese për Kupën e Botës me tetë fitore në tetë ndeshje, 22 gola të shënuar dhe asnjë të pësuar.

“Jam shumë i lumtur dhe krenar që zgjas kohën time me Anglinë. Nuk është sekret për askënd që kam dashur çdo minutë deri më tani… mezi pres t’i udhëheq ata në Kupën e Botës”, deklaroi Tuchel, duke e cilësuar EURO 2028 si një turne “shumë të veçantë”. Edhe stafi i tij – Anthony Barry, Henrique Hilario, Nico Mayer dhe James Melbourne – kanë rinovuar marrëveshjet, duke garantuar vazhdimësi në projekt.

Drejtori ekzekutiv i FA-së, Mark Bullingham, theksoi se Tuchel ishte “personi i duhur për këtë punë” dhe se “nuk ka kandidat më të mirë në futbollin botëror”, duke shtuar se rinovimi i hershëm shmang çdo shpërqendrim para turneve të mëdha. Para nisjes së Kupës së Botës në qershor, Anglia do të zhvillojë ndeshje miqësore ndaj Zelandës së Re dhe Kosta Rikës në Florida, si dhe përballje me Uruguain dhe Japoninë gjatë pushimit të ardhshëm ndërkombëtar./KosovaPress (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos