
Egnatia dhe Teuta do të duhet që të kërkojnë për një trajner të ri. Skuadra rrogozhinase, e cila është kampione në fuqi ka mbyllur bashkëpunimin me Edlir Tetovën, ku shkak sipas klubit është bërë gjendja shëndetësore e trajnerit.
“Për shkak të gjendjes shëndetësore dhe stresit të vazhdueshëm të përjetuar gjatë kohëve të fundit, si edhe në mirëkuptim të plotë mes palëve, është vendosur mbyllja e bashkëpunimit profesional me trajnerin. Klubi falënderon Tetovën për kontributin, përkushtimin dhe punën e dhënë në drejtimin e skuadrës gjatë kësaj periudhe, duke vlerësuar rezultatet dhe arritjet e përbashkëta”.
Edhe Teuta ka mbyllur bashkëpunimin me Enkeleid Dobin, por këtë herë shkak është bërë dorëheqja e vetë trajnerit.
“Klubi i Futbollit Teuta njofton se trajneri Enkelied Dobi ka paraqitur kërkesën për dorëheqje dhe, duke filluar nga dita e sotme, nuk do të ushtrojë më detyrën e tij në drejtimin e ekipit të parë. Në fjalën e tij, trajneri Dobi falënderon presidentin për mundësinë e dhënë, stafin për bashkëpunimin dhe të gjithë tifozët për mbështetjen e vazhdueshme. Për dy ndeshjet e mbetura të sezonit, drejtimi i ekipit do t’i besohet zëvendëstrajnerit Hodo, në bashkëpunim me pjesën tjetër të stafit teknik”.
Në të njëjtën situatë është edhe Partizani, i cili ndeshjen e fundit e luajti pa trajnerin Oltion Kërrnaja, të cilin e shkarkuan pas rezultateve të dobëta në javët e fundit të kampionatit.
(A2 Televizion)