Ndryshim në stolin e Vllaznisë! Edi Martini nuk do të jetë më trajneri i skuadrës shkodrane, pas një starti zhgënjyes në kampionat që e la ekipin në fundin e tabelës. Vetëm dy pikë në pesë javët e para, pa asnjë fitore, me dy barazime dhe tre humbje, kanë bërë që drejtuesit kuqeblu të marrin vendimin për ndërprerjen e bashkëpunimit me teknikun shkodran.
Presioni ishte shtuar prej javësh, ndërsa humbja 0-2 ndaj Teutës e përkeqësoi edhe më shumë situatën.
Martini e mori drejtimin e Vllaznisë në maj të vitit 2025, me objektivin për të rikthyer titullin në Shkodër. Sezonin e kaluar skuadra arriti deri në “Final Four”, por pa mundur të shkojë deri te trofeu.
Ndërkohë, këtë verë Vllaznia pësoi ndryshime të shumta në organikë, me plot tetë ndryshime të mundshme në formacionin bazë krahasuar me sezonin e kaluar.
Tashmë vëmendja është te pasuesi. Në orët e fundit, emrat që janë përmendur janë ai i Zekirija Ramadanit, dhe Sedat Pajaziti. Vllaznia nis një kapitull të ri në stol, me drejtuesit që kërkojnë të ndryshojnë menjëherë kursin pas një starti që e ka lënë skuadrën shkodrane në vendin e fundit të Superiores. (A2 Televizion)