
Sipas mediave të Malit të Zi, një grup huliganësh serbë u përpoq të digjte flamurin mesnatën e kaluar gjatë protestave që po zhvilloheshin pranë selisë diplomatike. Një pjesë e flamurit të Malit të Zi u dëmtua nga flakët, por stafi e zevendesoi atë menjëherë më një tjetër.
Situata në Mal të Zi është tensionuar ndjeshëm pas vendimit të Parlamentit për të kaluar një ligj për komunitetet fetare, i cili, sipas komunitetit serb në Mal të Zi dhe zyrtarëve në Beograd, synon të përvetësojë pronat e Kishës Ortodokse.
Ministria e Jashtme e Malit të Zi dënoi me forcë përpjekjen e protestuesve për të djegur flamurin, duke e konsideruar akt të papranueshëm. Në deklaratë kritikohet edhe mosveprimi nga ana e autoriteteve vendase.
Por, Presidenti serb Aleksandër Vuçiç replikoi se Ambasada Malazeze në Beograd ishte mbrojtur gjatë protestave. Ai e cilësoi një gënjeshtar kryeministrin e Malit të Zi, Dushko Markoviç, pasi ky i fundit pohoi se pavarësia e Malit të Zi po kërcënohej. (A2 Televizion)