Supersfida "El clasico", duel mes tensionit, Real dhe Barça sfidohen në "Camp Nou"

Nga A2 CNN
18 Dhjetor 2019, 14:13 | Futboll
Supersfida "El clasico", duel mes tensionit, Real dhe Barça

Pikët janë të njëjta, të dy skuadrat ndajnë vendin e parë, madje edhe kur njëra prej tyre është ndalur në kampionat, nuk ka mundur të fitojë as tjetra. Barcelona dhe Real Madrid përplasen sot në ‘Camp Nou’ në kushte të barabarta dhe me të njëjtën ecuri, ndërsa kërkojnë të shmangin sa më shumë vëmendjen nga protestat që kanë përfshirë Katalonjën.

“E dimë që do të përballemi me skuadër të madhe dhe që ka një futbollist si Messi, por ne kemi armët tona.  Nuk më shqetëson El Clasico, përkundrazi jam i lumtur që kam mundësinë për shijoj një përballje të tillë. Nuk na shpërqendrojnë gjërat që ndodhin jashtë stadiumit, do të fokusojmë energjitë tona 100 për qind brenda fushës. Do futemi në stadium së bashku me Barcelonën për të shmangur incidentet dhe nuk mund të bëjmë asnjë koment për këtë. Rregullat janë rregulla”, tha trajneri i Realit, Zinedin Zidane.

Më shumë sesa protestat, trajnerin e Barcelonës, Ernesto Valverde, e shqetëson takimi në Camp Nou, Real ka ditur gjithmonë të shprehë lojën e tij më të mirë.

“Jemi gati në gjysmën e sezonit dhe skuadrat nuk kanë diferenca. Sigurisht të dyja kërkojnë shkëputjen, por gjithsesi janë shumë ndeshje për t’u luajtur. Jam i bindur se asgjë nuk do të shpërqendroje vëmendjen në El Clasico. Protestuesit që duan të protestojnë janë të lirë ta bëjnë këtë gjë por të tregojnë respekt dhe t’i qëndrojnë kufijve. Këtu Real luan mirë gjithmonë. Është një skuadër që i përgatit ndeshjet me intensitet dhe këtë gjë ndoshta edhe më shumë e presim nga Reali”, deklaroi kreu i stolit të katalanasve.

Barcelona dhe Real Madrid përballen sot në takimin e 243-të zyrtar. Pas një beteje të lavdishme që ka nisur një shekull më parë, madrilenët kanë mundësinë të barazojnë numrin e fitoreve të rivalëve të përjetshëm, që kanë triumfuar 96 herë në El Clasico. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos