
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, gjendet në Berlin me ide të qarta. Edhe gjatë takimit të organizuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron, ai bëri të ditur se do të vijojë me retorikën e ashpër të Beogradit.
“Mendoj se delegacioni jonë do të jetë i vetmi që do të flasë kundër pavarësisë së Kosovës. Ne jemi këtu për të luftuar për vendin tonë. Sigurisht që do të jetë e vështirë, por kjo nuk është hera jonë e pare”, tha Vuçiç.
Vuçiç këmbëngul se është e drejta e Serbisë të luftojë për Kosovën.
“Të gjithë do të shprehen se Kosova është e pavarur, prandaj ata janë ftuar të thonë se është e papërgjegjshme të flitet për atë që Serbia mund të fitojë. Prandaj unë kam folur për demarkacionin, në mënyrë që ne të fitojmë diçka”, u shpreh Vuçiç.
Presidenti serb thotë më tej se në takimin e Berlinit do të kërkojë vetëm ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon. Vuçiç foli edhe për integrimin në BE, ku theksoi se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të kenë sërish një shtyrje të re të hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE. (A2 Televizion)