
Një talent kuqezi magjeps Juventusin. Skuadra italiane ka shfaqur interes serioz për Stiven Shpendi, sulmuesin e ri shqiptar, që sezonin e kaluar shkëlqeu në Serie C, kategorinë e tretë italiane.
Në kampionatin e parë si titullar, 20-vjeçari realizoi 12 gola me Cesena-n, duke e ndihmuar klubin të luftonte deri në fund si në kampionat, ashtu edhe në fazën play off për të siguruar ngjitjen një kategori më lart.
Me lojën e tij, por mbi të gjitha me efikasitetin në fazën ofensive, djaloshi i Kombëtares të Shqipërisë arriti të kapërcente hierakitë në ekip dhe të linte në stol dy blerjet e mëdha të verës së kaluar si Ferrante dhe Udoh.
Përveç Juventusit, sytë nga Stiven Shpendi i ka hedhur edhe Sassuolo, një prej skuadrave të Serie A që njihet për punën e mirë me lojtarët e talentuar. Për të fituar konkurrencën, bardhezinjtë janë të gatshëm të paguajnë kartonin e futbollistit, që në merkato vlerësohet 2 milionë euro.
Edhe pse kosto financiare cilësohet e konsiderueshme, plani i Juventusit është që ta blejë 20-vjeçarin shqiptar, për ta aktivizuar fillimisht në ekipin e dytë. Aty Shpendi do të ketë mundësi të rritet, me shpresën se do të jetë një prej yjeve të së ardhmes së gjigantëve italianë. (A2 Televizion)