
Pasditen e të hënës, pak para skadencës zyrtare për dorëzimin e listave në KQZ, socialistët do të mbledhin Kryesinë e partisë së tyre, për të finalizuar listën e kandidatëve për deputetë. Prurjet e reja duket se kanë detyruar edhe shumë spostime, sidomos në Qarkun e Tiranës, ku disa deputetë do të lëvizin drejt qarqeve të tjera, ndërsa ka nga ata që kanë preferuar të largohen.
Një prej këtyre të fundit është Sadi Vorpsi, i cili pas 4 vitesh si deputet i PS, ka njoftuar se nuk do të garojë më. “Kam vendosur t’ia kaloj stafetën prurjeve të reja për t’u fokusuar më shumë te familja ime dhe në angazhime të tjera private”, shkruan Vorpsi në Facebook.
Burime nga Partia Socialiste bëjnë me dije se ish-prefektit të Tiranës i ishte propozuar një vend në pozicionet e poshtme të listës së Tiranës, larg zonës së sigurt.
Duke vlerësuar punën e bërë deri tani nga qeveria, Vorpsi premtoi se do të jetë gjithsesi aktiv në fushatën zgjedhore. “Kam shijuar çdo moment përfaqësimin e komuniteteve nga zemra e Tiranës, e më pas në Vorë e në Farkë dhe jam krenar për gjithçka kemi arritur së bashku. Edhe pse nuk do të kandidoj sërish, do të jem po aq aktiv në fushatën e 25 prillit për mandatin e domosdoshëm të PS dhe Edi Ramës për t’i çuar gjer në fund punët e nisura e për ta bërë Shqipërinë zonjë”.
Mësohet se edhe deputetja Reme Lala nuk do të kandidojë me socialistët. Ajo e kishte marrë mandatin në listat e PDIU në Dibër, por prej disa javësh kishte filluar të punonte me strukturat e PS në Tiranë, ku edhe do të kandidonte. Duket se edhe largimi i saj lidhet me pakënaqësinë e shkaktuar nga pozicionimi në listat e Tiranës, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do ta braktisë politikën apo do t’i bashkohet ndonjë subjekti tjetër.
Reme Lala është vajza e Ymer Lalës, i cili doli në përgjimet e Dosjes 184, në rastin e zgjedhjeve në Dibër. Ndërkohë, kanë qenë të vazhdueshme thirrjet e ambasadorëve kundër kandidimit të personave të inkriminuar e të korrptuar si dhe personave të lidhur direkt me ta. (A2 Televizion)