
Gjykata e Posaçme liron nga qelia Edlira Naqellarin, ish-drejtoreshën e blerjeve të përqendruara në Ministrinë e Brendshme. Naqellari, e dënuar me 1 vit burg për “shpërdorim detyre” në tenderin e uniformave i përfundoi dënimi. Vendimi për lirim nga gjyqtari Erjon Çela.
Në fund të vitit të kaluar, Gjykata e Posaçme shpalli fajtor të gjithë të pandehurit në çështjen e tenderit të uniformave të Policisë së Shtetit.
Zyrtarët u shpallën fajtorë për “shkelje të barazisë në tendera” dhe “shpërdorim detyre”. SPAK i akuzoi se përmes ndryshimit të kushteve e kritereve të tenderit dhe favorizimit të një prej kompanive garuese. Sipas dosjes së prokurorisë, të siguruar nga A2 CNN, procedura e tenderit “Blerje e shpërndarjeve e uniformave dhe këpucëve të Policisë së Shtetit”, duhet të zhvillohej në tri pjesë, por është bashkuar në një të vetme nga zyrtarët e dyshuar.
Prokurorët e SPAK kanë zbardhur gjithë korrespondencën e mbajtur nga Policia e Shtetit dhe Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, ku ka rezultuar që gjatë procedurës janë bërë ndryshime të specifikimeve teknike, çka është reflektuar në ndryshim të cilësisë dhe sasisë dhe kostos së prodhimit dhe shpërndarjes, por jo të fondit limit të parashikuar. (A2 Televizion)