
“Zonat e reja ku do të ndërtohet të jenë shembuj transformues në funksion të një rilindje urbane që do të transformojë nga pikëpamja sociale këto zona. Thumana e nesërme nuk do të ngjajë me asgjë me atë të 26 nëntorit. Këto zona do të jenë shembull edhe jashtë kufijve”.
Kështu u shpreh Kryeministri Rama nga foltorja e Kuvendit në seancën e kësaj të mërkurë teksa foli për situatën pas tërmetit të fuqishëm të 26 nëntorit.
“Ka nisur puna për planet e reja të zhvillimit. Janë grumbulluar fonde të konsiderueshme nga solidariteti i madh pas tragjedisë. Si asnjëherë më parë, të gjitha forcat janë bashkë në tryezë, për ta çuar para këtë proces rindërtimi, ku çdo i prekur të përfitojë një cilësi të re jete. Unë besoj se Shumë shpejt do të fillojnë të shihen filizat e parë të këtij procesi rindërtimi, do të fillojë të shohë dallimi i madh mes të djeshmes dhe e ardhmja për të gjitha këto familje, do të shihet shumë shpejt transformimi i madh urban”, tha Rama.
Sa i përket akomodimit të persona të prekur nga tërmeti, Rama u shpreh: “Në Shqipëri ka pasur fatkeqësi natyrore më te lehta dhe janë kalbur rrugëve. Në më pak se 10 ditë, mbi 13 mijë persona janë akomoduar në kushte që kurrë më parë nuk i ka pasur një banor i Shqipërisë pas fatkeqësish natyrore. Janë shembur 56 objekte, prej të cilave 49 në Durrës, 4 në Tiranë dhe 3 në Lezhë. Ish-kompleksi i konvikteve të Bujqësorit është në proces shembjeje. Është bërë një kapërcim epokal të adresimit nga ana e shtetit të nevojave për njerëzit e goditur nga fatkeqësia natyrore. Janë angazhuar 257 punonjës socialë dhe psikologë”, tha Rama. (A2 Televizion)