Tom Doshi shpjegon dorëheqjen nga mandati: Unë nuk hyj në Parlament, por partia jonë do të jetë aty

Nga A2 CNN
26 Prill 2021, 11:28 | Politikë
Tom Doshi shpjegon dorëheqjen nga mandati: Unë nuk hyj në

Pas letrës së dorëheqjes, dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Tom Doshi ka shpjeguar përmes një statusi në Facebook edhe arsyet e këtij vendimi.

Duke shkruar në gegërisht, Doshi thotë se e ndjeu si detyrim moral të shpjegonte vendimin e marrë.

“Ju garantoj se kam hequr dorë nga mandati, por jo nga Partia Social Demokrate dhe as nga angazhimi politik për përmbushjen konstante të premtimeve ndaj jush. Për këto premtime, siç e kam vërtetuar edhe në të kaluarën, do të punoj çdo ditë, fushatë elektorale ose jo, duke qenë pikërisht ky angazhim busulla ime e përditshme në angazhimin politik”, shkruan Doshi.

“Së pari, dua që të jem plotësisht i lirë që t’i përkushtohem me të gjitha mjetet që më ofron ligji, mbrojtjes së emrit tim prej lakimit të pavend dhe tendencioz që i është bërë kohët e fundit, duke çliruar kështu energjitë e PSD vetëm drejt misionit politik dhe përfaqësimit të interesave të qytetarëve.

Ky vendim asht marrë vetëm sepse së bashku me një ekip me njerëz të rinj, të përkushtuar dhe me integritet, kemi arritur objektivat që i kishim vendos vetes, pra mobilizimi jonë e dha rezultatin e vet, u impenjova për fitore dhe e arritëm fitoren.

Në parlament apo jashtë parlamentit, Tom Doshi është dhe do të jetë gjithmonë me ju, sepse do të vijoj të jem në udhëheqje të PSD-së dhe nuk do t’ju braktisë asnjëherë. Unë nuk hyj në Parlament, por partia jonë do të jetë aty. Un nuk hyj në parlament sepse nuk dua që votat tuaja të kenë asnjë pengesë, së bashku me deputetet tanë në parlament do ta çojmë lart zërin tuaj dhe s’do t’ju zhgënjejmë asnjëherë.

Ju falënderoj secilin prej jush për forcën, besimin, ngrohtësinë njerëzore që më keni dhanë, ju na dhatë votën tuaj e ne ju dhamë fitoren, tashti së bashku do të ndërtojmë në parlament dhe kudo të ardhmen tonë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos