
Shtohen rastet e trafikut ilegal të qenieve njerëzore në vend. Policia e Vlorës ka arrestuar 4 persona në dy operacione të ndryshme, të akuzuar për dhënie ndihme për kalimin e kufirit kundrejt fitimit.
Në operacionin e parë, u arrestuan 2 persona, që në bashkëpunim kishin fshehur emigrantë në shtëpinë e njërit prej tyre, shtetasit P.P.
Në banesën e këtij të fundit u gjetën 21 shtetas egjiptianë, ku mes tyre u arrestua shtetasi Y.Y, 31 vjeç, banues në Milano, i cili bashkëpunonte në skemën e trafikut.
Forcat e rendit arrestuan edhe dy shtetas kosovarë nga Drenica, të cilët u kapën në flagrancë në zonën e “Plazhit të vjetër” duke kaluar ilegalisht nga kufiri dy shtetas marokenë, me objektiv final kalimin në Itali.
Materialet në ngarkim të secilit i kaluan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)