
Prokuroria e Posaçme, SPAK ka refuzuar kërkesën e Operacionit Forca e Ligjit për sekuestrimin e 48 prej 120 pasurive të sekuestruara në kushte emergjente, të dyshuara si kriminale.
Sipas bilancit të SPAK për 5 muajt e parë të 2020, deri më 31 maj Policia e Shtetit ka paraqitur 80 kërkesa për sekuestrimin e 148 pasurive në total. Prokurorët e SPAK kanë vlerësuar si të ligjshme dhe kanë kërkuar vendosjen e sekuestros në Gjykatën e Posaçme për 72 pasuri, nga të cilat 15 pasuri të paluajtshme dhe 57 të tjera, automjete.
Për 48 pasuri të sekuestruara në kushte emergjente nga OFL, SPAK ka vërejtur se kërkesa për bllokimin e tyre ishte në kundërshtim me ligjin dhe në këto kushte materialet i janë kthyer Policisë së Shtetit.
Po ashtu, Prokuroria e Posaçme ka vlerësuar si të kundërligjshëm edhe bllokimin nga OFL në kushte emergjente të pasaportës së një qytetareje.
Ndërkohë SPAK vijon shqyrtimin për 28 pasuri të tjera të kërkuara për t’u sekuestruar. Për rastet kur Gjykata e Posaçme ka vendosur sekuestro të pasurive të kërkuara, SPAK po përgatit kërkesat për konfiskimin e tyre. (A2 Televizion)