Trafikanti u iku me makinë, gazetarin e shtrinë në tokë, nisin hetimet për sjelljen e efektivëve

Nga A2 CNN
27 Korrik 2021, 16:50 | Kronikë
Trafikanti u iku me makinë, gazetarin e shtrinë në tokë,

Një operacion policie i shkuar keq përfundoi me ikjen e një personi që dyshohet se ishte një trafikant që kërkohej nga forcat e rendit.

Në video të ndryshme që qarkulluan në rrjetet sociale, shihen 5 efektivë që rrethojnë një makinë tip Mercedes Benz dhe i kërkojnë personit brenda që të dalë nga mjeti, në një moment edhe duke e fyer.

Por edhe pse mbi të ishin drejtuar disa pistoleta, personi brenda në makinë i dha gaz dhe u largua, duke i ikur “rrethimit”. Pas largimit të personit në fjalë, në video shihet që efektivët i kthehen gazetari Ergys Gjençaj, i cili po filmonte ngjarjen dhe duke i bërtitur i marrin telefonin celular dhe e shtrinë në tokë.

I gjithë operacioni, një dështim spektakolar, do të hetohet nga Prokuroria e Tiranës dhe Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat. Të dy këto institucione po verifikojnë veprimet e kryera nga efektivët e policisë. Edhe në aspektin etik, komunikimi i drejtuesit të operacionit, që është identifikuar si oficeri Alban Hoxha, pritet të hetohet nga SHÇBA dhe Prokuroria.

Ngjarja ndodhi të martën paradite në zonën e quajtur “Varri i Bamit” në Tiranë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos