Turizmi në pandemi, Shqipëria e hapur, por shqiptarët me tampon drejt Europës

Nga A2 CNN
29 Qershor 2021, 20:49 | Aktualitet

Shqipëria ka hapur çdo portë hyrëse për turistët. Ashtu sikundër një vit më parë, vizitoret që zgjedhin vendin tonë nuk kanë nevojë për tampon apo pasaportë vaksinimi.

Agjencitë turistike ruajnë optimizëm për sezonin turistik. Ulja e charterave në Rinas çdo javë dhe tolerimet që kanë nisur të bëjë disa shtete, do të kenë impakt në turizëm.

Një sinjal i mirë për turizmin tonë ishte ai i BE-së që e listoi Shqipërinë në listën e gjelbër të vendeve ku mund të kryhet udhëtim dhe qëndrim i sigurtë. Por shtetet kanë bërë zgjedhje individuale. Britania, Italia, si dhe Polonia janë disa nga vendet që po aplikojnë masa të rrepta për çdo shtetas që hyn në territorin e tyre.

Në aeroportin e Rinasit, udhëtarëve që janë nisur drejt Italisë, ndonëse disa prej tyre kanë pasaportën e vaksinimit, sërish u është kërkuar test Covidi.

Shqiptarët mund të udhëtojnë drejt vendeve të rajonit si dhe Spanjës, Austrisë, Holandës, Belgjikës, Turqisë dhe Zvicrës pa tampon dhe pasaport vaksinimi.

Italia dhe Britania ende nuk janë hapur dhe pranohen vetëm shtetasit rezident dhe ata me nevoja urgjente, ndërkohë që në vendet e tjera të Europës udhëtimet mund të bëhen me pasaportë vaksinimi ose një tampon negative.

Shoqatat e Turizmit presin një lobim më të fortë të qeverisë tek vendet tjera. Vetë autoritetet shëndetësore kishin njoftuar më herët se për çdo vështirësi për hyrjen e shqiptarëve drejt një shteti apo daljen e shtetasve të huaj me destinacion Shqipërinë do të ketë bisedime ndërqeveritare, ndërsa synohet të arrihet niveli i vizitorëve të vitit 2019, viti para pandemisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos