
Raporti i zyrës globale të Kombeve të Bashkuara për krimin, drogat, përmend Shqipërinë si shtetin kryesor të origjinës së kanabisit në Europë dhe të 6 në botë për periudhën 2015-2019.
Në grafikun “shtetet kryesore të orgjinës së kanabisit, sipas raportimit nga shtetet anëtare 2015-2019”, vendi ynë listohet pas Marokut, Afganistanit, Pakistanit, Libanit, dhe Iranit. Ndërsa në Europë, Shqipëria është e para, duke lënë pas Spanjën dhe Holandën, të renditura respektivisht në vend të 8 dhe të 9-të.
Raporti përmend gjithashtu rrjete shqiptare të përfshira në shpërndarjen e kokainës rreth Europës. Disa nga rrjetet në zhvillim, veçanërisht rrjetet shqiptare, janë gjithashtu të përfshira në shpërndarjen e kokainës rreth Europës dhe brenda disa vendeve europiane, duke u mundësuar atyre të implementojnë një model biznesi "nga fundi në fund", shqiptarët zënë vend të rëndësishëm mes shtetasve të huaj të arrestuar për konfiskim individual të kokainës gjatë viteve 2018-2020.
Krahas grupeve shqiptare përmenden edhe ato serbo-kroate, shtetas të Bosnje-Hercegovinës, Kroacisë, Malit të Zi dhe Serbisë që siç thuhet janë bërë lojtar të rëndësishëm në sigurimin e sasive të mëdha të kokainës dhe organizimin e trasnportit dhe shitjes te blerësit europianë. (A2 Televizion)