U arrestua nga SPAK, prokurori i Kukësit u filmua teksa merrte 2 mijë euro ryshfet

Nga A2 CNN
1 Korrik 2021, 14:39 | Aktualitet
U arrestua nga SPAK, prokurori i Kukësit u filmua teksa merrte 2 mijë

Drejtuesi i Prokurorisë së Kukësit, Edmond Kariqi, i arrestuar të mërkurën me kërkesë të SPAK, dyshohet se ka përfituar një ryshfet prej 2 mijë euro. Afera korruptive ka pasur si qëllim lehtësimin e masës së sigurisë për një person, që po hetohej nga Prokuroria e Kukësit për akuzën e “prodhimit dhe mbajtjes së lëndëve narkotike”.

Burime pranë SPAK, konfirmuan për A2 se episodi i korrupsionit është konsumuar disa muaj më parë. Prokurori Kariqi ka qenë në përgjim dhe nën vëzhgim ambiental, thanë burimet dhe është filmuar teksa ka marrë shumën e parave nga vëllai i personit që kishte nën hetim.

Shkëmbimi është bërë në një tavolinë në një ambient publik në qytetin e Kavajës, por nuk është ndërhyre me prangosjen e prokurorit, pasi çështja ndaj tij lidhet edhe më një hetim tjetër të SPAK. Sipas burimeve, hetimi i rastit është në vijim dhe ka dyshime se përfitimi i paligjshëm i prokurorit të ketë qenë më shumë se 2 mijë euro.

Të mërkurën, bashkë me prokurorin e Kukësit, Kariqi, u arrestuan Isuf Gega dhe dy personat me iniciale D. D. dhe E. B. Më herët, ndaj tyre ishte caktuar masa e sigurisë “arrest në burg” nga Gjykata e Posaçme për akuzën e “korrupsionit”. Të premten ata pritet të dalin para kësaj gjykatë për verifikimin e masës së sigurisë. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2021/06/30/arrestohet-drejtuesi-i-prokurorise-se-kukesit/

A2 CNN Livestream

Latest Videos