Vota e emigrantëve, Majko: Adresa e banimit nuk është kusht, zbatojmë modelin e Kosovës

Nga A2 CNN
21 Dhjetor 2020, 14:20 | Politikë
Vota e emigrantëve, Majko: Adresa e banimit nuk është kusht,

Regjistri i adresës së banimit nuk do të jetë kusht për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit për të ushtruar të drejtën e votës. Ministri i Shtetit, Pandeli Majko, raportoi në nënkomisionin parlamentar për diasporën, ku procesi elektoral i 25 prillit mori vëmendjen e tij.

“Sistemi që do të krijohet pranë KQZ, sipas modelit të një shteti më të ri të rajonit, Kosovës, është me aplikim sipas shtetasve tanë jashtë vendit, të cilët aplikojnë me pasaportë apo me kartë identiteti dhe kjo krijon listën e votuesve dhe jo e kundërta”, tha Majko.

Por, si do të mund të aplikojnë emigrantët për të gjetur të drejtën e votës?

“E drejta e votës do të bëhet duke marrë pasaportën apo kartën e identitetit sipas rregullave që do të vendosen. Pranë KQZ-së do të krijohet një sistem i cili kërkon vendimmarrjen e KQZ-së dhe atje do të aplikojnë shtetasit tanë që banojnë jashtë vendit”, shpjegoi Majko.

Pjesë e interesit të deputetëve ishte edhe çështja e marrëveshjes së pensioneve me shtetet ku ka më shumë shqiptarë dhe me Italinë duket ky ngërç po merr zgjidhje: “Me përgjegjësit shtetëror të qeverisë italiane na është thënë se çështja e buxhetit është zgjidhur. Ka qenë momenti më delikat i diskutimeve me shtetin fqinj, kështu që tani çështja e marrëveshjes së pensioneve, sipas meje, është vetëm një numërim mbrapsht dhe një negociatë”.

Raportimi i Majkos në Kuvend u bë për punën e bërë nga dikasteri i tij përgjatë vitit 2020, ku edhe kontaktet me disaporën u bënë online. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos