Fiskalizimi, Jorida Tabaku: Nga 1 janari bizneset do paguajnë deri në 2000 euro shtesë

Nga A2 CNN
20 Dhjetor 2020, 11:48 | Politikë
Fiskalizimi, Jorida Tabaku: Nga 1 janari bizneset do paguajnë deri në

Ish deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka denoncuar një tjetër koncesion të qeverisë që pritet të hyjë në fuqi më 1 janar dhe që do të godasë ndjeshëm bizneset e vogla dhe të mesme.

Sipas Jorida Tabakut, koncesioni për Fiskalizimin i është dhënë një kompanie kroate nga kryeministri Rama dhe pritet të krijojë një kosto nga 650 euro deri në 1626 euro/vit për çdo biznes.

“Që nga 1 janari i vitit të ardhshëm, bizneset dhe sipërmarrjet në Shqipëri do të paguajnë afërsisht 2000 euro në vit shtesë. Bizneset e mesme dhe te vogla do të rëndohen dhe më tej për të paguar këtë koncesion të ri, dhënë një kompanie kroate si qokë personale e Ramës dhe që do të paguhet nga xhepat e shqiptarëve.

Fiskalizimi përfshin një shtesë të kostove të internetit me mesatarisht 130 euro në vit, ndërkohë që vlera e përditësimit të sistemeve financiare shkon mesatarisht deri në 500 euro në vit nëse biznesi zotëron një llogari (pra një të punësuar apo vetëpunësuar).

Të gjitha këto përllogaritje kryhen pa pasur parasysh çmimet që do të ofrojnë kompanitë që do të merren me programin e fiskalizimit. Por burimet nga sipërmarrjet që kanë kryer disa llogari personale flasin për një kosto të faturave të fiskalizimit që shkojnë mbi 650 euro deri në 1626 euro/vit”, shkruan Tabaku.

Në fund ish deputetja shkruan se me këtë koncesion del zbuluar dhe gënjeshtra e kryeministrit se nga janari 2021 bizneset e vogla nuk do të paguajnë asnjë taksë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos