
Një tjetër bashkëpunëtor në vrasjen e Behar Sofisë u arrestua nga policia. Për ngjarjen e ndodhur në shkurt të këtij viti, në pranga ra 45-vjeçari Bujar Leza, aktualisht në burgun e Fushë-Krujës, i arrestuar për dhunë në familje 3 muaj më parë.
Masa e sigurisë iu komunikua Lezës në burgun e Fushë-Krujës, ndërsa, sipas hetuesve, 45-vjeçari ishte koordinator mes porositësve dhe vrasësve me pagesë. Nga hetimet ka rezultuar se ai është personi i cili siguroi armën dhe biçikletën.
Mbi Bujar Lezën rëndojnë 4 akuza: “Vrasje me paramendim”, “Mbajtja pa leje e armëve”, "Grupi i strukturuar kriminal" dhe "Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”.
66-vjeçari Behar Sofia u ekzekutua mëngjesin e 25 shkurtit, afër Piramidës, në Tiranë, ndërsa vrasësi Ernejt Shyti u largua me biçikletë. Autori, pasi e ndoqi disa metra pranë shtëpisë së tij, i ka dalë para 66-vjeçarit dhe e qëlloi me pistoletë.
Për ngjarjen u arrestuan dhe tre bashkëpunëtorët e tij: Skënder Vathi, Leonard Xhixha dhe Xhuljano Visha. (A2 Televizion)