Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, vijoi turin e vizitave të saj në Durrës në ditën e zgjedhjeve. “Jemi shumë të kënaqur që jemi në Durrës. Jemi shumë të frymëzuar, teksa kemi parë pjesëmarrje të lartë në votime. Kjo tregon që qytetarëve shqiptarë u intereson vendi i tyre. E di që janë raportuar disa incidente dhe është përgjegjësia e autoriteteve për të vijuar hetimet. Ne u kemi bërë thirrje prokurorëve që t’i hetojnë këto çështje deri në fund. Qytetarët po përmbushin detyrën e tyre, autoritetet po bëjnë detyrën e tyre. Ka ardhur koha që kandidatët të presin për rezultatet dhe gjykimin e popullit”, tha ambasadorja Kim.
Ndërsa ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca, tha: “Shqipëria po shpreh vullnetin e saj duke votuar. Ka edhe 3 orë deri në fund. I ftojmë të gjithë qytetarët të dalin të votojnë. E di që është ditë e bukur, por ju lutem ejani të përmbushni detyrën tuaj. Dhe pas votës ju lutem prisni me durim rezultatin. Ndërsa udhëheqësit politikë, të respektojnë rezultatin”. (A2 Televizion)