Zjarret përfshijnë rajonin, Kosova dhe Maqedonia e Veriut bëjnë thirrje për ndihmë

Nga A2 CNN
3 Gusht 2021, 14:57 | Kosova
Zjarret përfshijnë rajonin, Kosova dhe Maqedonia e Veriut

Kosova lufton prej ditësh me zjarret. Nga 50 vatra që ishin fillimisht, rreth 10 të tilla vazhdojnë të mbeten aktive në Suharekë, Prizren, Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” dhe Janjevë. Më e rëndë situata është në Suharekë, ku por përballen prej 3 ditësh me flakët që kanë përfshitë disa fshatra.

Kryeministri Albin Kurti, i cili më herët zhvilloi një vizitë në komunë citoi si problem mungesën e zjarrfikësve. Ende nuk ka të dhëna të sakta për dëmet e shkaktuara nga zjarri, por zyrtarë të Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave pohojnë së në Parkun Nacional “Bjeshkët e Nemuna” flakët kanë përfshirë 50 hektarë sipërfaqe, edhe pse jo e gjithë hapësira është shkatërruar.

Për të shuar vatrat e zjarrit, janë angazhuar zjarrfikësit, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë, Policia e Kosovës mbështetur edhe nga KFOR-i, siç bëri të ditur në rrjetin social Facebook, Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme. Sipas tij, shkaktar jo në të gjitha rastet kanë qenë temperaturat e larta, por janë vërejtur edhe zjarrvënie të qëllimshme. Policia ka identifikuar dy të dyshuar në Zubin Potok dhe Obiliq të cilët janë vënë në pranga.

Me situatë të ngjashme përballet edhe Maqedonia e Veriut, ku një sipërfaqe prej 50 hektarësh është përfshirë nga flakët, siç bënë me dije autoritetet. Situata më kritike paraqitet në Koçan, pavarësisht se gjatë natës, 500 zjarrfikës, pjesëtarë të Armatës dhe banorë lokalë, kanë arritur që ta lokalizojnë vatrën në këtë zonë.

Sllovenia, si anëtare e NATO-s është ofruar të ndihmojë në shuarjen e flakëve. Teksa vizitoi zonën mbrëmjen e së hënës, kryeministri Zoran Zaev i bëri thirrje për ndihmë shteteve fqinje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos