
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha përkujtoi gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët 10 vjetorin e heqjes së vizave për qytetarët shqiptarë, një ngjarje sipas tij shumë e rëndësishme në historinë e vendit.
Ndërsa përkujtoi këtë moment solemn, kryedemokrati iu drejtua me një thirrje qytetarëve shqiptarë, ku iu kërkoi të kenë besim pasi do të jetë PD ajo që do ta anëtarësojë Shqipërinë në familjen europiane.
“Ne do të bëjmë të mundur dhe një hap të rëndësishëm për ndryshimin e Shqipërisë është anëtarësimi në BE. Në një ditë të erret thirrja ime është kini besim, kemi bërë gjëra të mëdha bashkë, vështirësi që i kemi kapërcyer dhe lëvizjen e lirë e shijojnë të gjithë shqiptarët.
Do të mundësojmë një ekonomi që krijon vende pune, që nxit të rinjtë që shkollohen në Europë të kthehen në Shqipëri. Është një thirrje për të besuar tek vetvetja, tek vendi ynë, i cili ka një potencial të jashtëzakonshëm”, u shpreh Basha. (A2 Televizion)