
Gjatë ditëve të fundit, është thënë se postin e ministrit të Brendshëm, të lënë bosh nga Sandër Lleshi, mund ta marrë edhe një femër.
E pyetur në A2, nëse do të ishte ajo ministrja e re e Brendshme, Ermonela Felaj u përgjigj: “Do të ishte mirë që zonjat t’i shikonim edhe në postin e ministres së Brendshme, por jo thjesht ideja për të parë një zonjë, por gjithmonë për të vijuar një kauzë që tani gratë edhe vajzat në Shqipëri e kanë marrë përsipër ta kryejnë. E tillë është ajo e promovimit në funksione të rëndësishme, në funksione që shihen si përkatësi vetëm e meshkujve. Por, kjo nuk mund të jetë një qëllim në vetvete i askujt, sepse çdo lloj detyre angazhon një përgjegjësi të caktuar dhe të dhënat e një individi duhen parë në raport me këtë përgjegjësi.
Gjithsesi, kushdo që do të promovohet në këtë detyrë, qoftë burrë, apo qoftë grua, unë i uroj suksese në këtë detyrë absolutisht të vështirë”, u shpreh Ermonela Felaj.
Aktualisht, Ermonela Felaj mban pozicionin e kryetares së Komisionit të Sigurisë. (A2 Televizion)