
Apeli i Gjykatës së Posaçme ka shqyrtuar këtë të enjte vendimin e Shkallës së Parë për çështjen “Tahiri”. Pas një seance që zgjati për rreth 6 orë, Gjykata njoftoi se më 24 qershor do të japë edhe vendimin për të konfirmuar dënimin, apo jo, të Shkallës së Parë.
“Jam super i bindur që në çdo hap të detyrës sime e kam bërë gjënë e duhur. Jo më për akuzat e prokurorisë, por as për ato të gjykatës. Do ta pranoj vendimin e Gjykatës. Sa të drejtë do ta gjykoj, kjo është pastaj gjë tjetër”, tha ai pas përfundimit të seancës.
I pyetur nëse do të kthehet në politikë ndërsa afrojnë zgjedhjet parlamentare, ish-deputeti socialist u përgjigj: “Saimir Tahiri s’ka ikur. Kjo historia e politikës nuk më tundon, siç nuk më ka tunduar në momentin që ika nga deputet për t’u përballur me drejtësinë”.
Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, u dënua me 5 vite burg për shpërdorim detyre. Ky vendim u konvertua me gjykim të shkurtuar në 3,4 vite shërbim prove. Prokuroria e Krimeve të Rënda nga ana tjetër kërkonte 12 vite burg për Tahirin për 3 vepra penale: “trafikim i narkotikëve” në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” dhe “grup i strukturuar kriminal”.
Si përfundim, të dyja palët, si Tahiri dhe Prokuroria, nuk pranuan dënimin me 3,4 vite shërbim prove dhe e apeluan në Gjykatën e Posaçme të Apelit. (A2 Televizion)