
Bujar Leza, i arrestuari i pestë si bashkëpunëtor në vrasjen e Behar Sofisë, shkurtin e këtij viti në Tiranë, u përlot në sallën e gjyqit, para se të konfirmohej masa e sigurisë “arrest në burg” për të. 45-vjeçari Leza u shoqërua në Gjykatën e Posaçme për vlerësimin e kësaj mase sigurie, caktuar në mungesë për të, teksa qëndronte në qelitë e paraburgimit të burgut të Fushë-Krujës për llogari të një procedimi tjetër penal.
Burime brenda seancës së zhvilluar me dyer të mbyllura konfirmuan se mes lotësh i dyshuari mohoi të ketë gisht në ekzekutimin e biznesmenit Sofia. “Nuk kam asnjë lidhje me ngjarjen. Nuk e di pse akuzohem për të”, është shprehur Leza. E kundërta është pretenduar nga prokurorët e SPAK. Sipas tyre, Leza është pjesë e grupit kriminal të angazhuar në vrasjen e biznesmenit. Bazuar në verifikimin e tabulateve telefonike, si edhe të qelizave telefonike, SPAK ka provuar kontakte të 45-vjeçarit me disa prej të arrestuarve të tjerë.
Sipas prokurorisë, Leza është personi që ka siguruar armën e krimit, si edhe biçikletën me të cilën u largua nga ngjarja Ernejt Shyti, i akuzuari si ekzekutor i Sofisë. Në zbatim të vendimit të gjykatës, Leza do të qëndrojë në qeli teksa do të hetohet për “vrasje me paramendim”, “mbajtje pa leje e armëve”, “grupi i strukturuar kriminal” dhe “kryerje e veprave penale nga organizata kriminale”. Më herët, për krimin e 25 shkurtit fare pranë Piramidës në kryeqytet janë prangosur Ernejt Shyti, Skënder Vathi, Leonard Xhixha dhe Xhuliano Visha. (A2 Televizion)