
Në Shqipëri ndodhin mesatarisht 1.5 sulme kompjuterike çdo ditë. Referuar të dhënave nga Ministria e Brendshme, në harkun e muajve janar-tetor në vend u raportuan 434 raste nga 175 në po të njëjtën periudhë të një viti më parë duke pësuar kështu një rritje me 148 për qind.
Tetori ishte muaji me numrin më të lartë të krimeve kompjuterike në 5 vitet e fundit me 63 raste, 2-fish më shumë se i njëjti muaj i vitit 2020.
Po pse kjo rritje e ndjeshme? “Mendoj që Covid-19 ka ndihmuar shumë, sepse u rrit përdorimi i internetit, u rrit edhe mundësia për të mashtruar online, apo për të vjedhur identitete”, thotë Gentjan Progni, ekspert IT.
Në periudhën 10-mujore të këtij viti, Policia e Shtetit ka evidentuar 207 vepra penale në fushën e krimeve kibernetike, 184 për qind më shumë se krahasuar me harkun e muajve janar-tetor të një viti më parë. “Mendoj që është shumë herë më e lartë. Ne nuk kemi kulturë të denoncimit të krimit kibernetik”, thotë Progni. “Shqiptarët edhe kur u vidhet diçka, thjesht pyesin dikë që merr pak vesh dhe e lënë në harresë”.
Nga të dhënat rezulton se shumica e sulmeve kibernetike, përfshirë ato kompjuterike ndodhin në subjekte private, ndërsa në rreth 90 për qind të rasteve autori mbetet i paidentifikuar. (A2 Televizion)