
“Nuk mund të kemi dy vizione të ndryshme. Ose 25 prilli ishte fitorja e Edi Ramës ose 25 prilli ishte një masakër zgjedhore. Të dyja bashkë nuk qëndrojnë”. Me këto fjalë iu është drejtuar kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha demokratëve të Devollit, gjatë turit të tij në qarkun e Korçës, ku kërkoi votat e tyre për të vazhduar betejën.
“Në qoftë se ishte një masakër zgjedhore e cila përkohësisht ndali ndryshimin të cilit i primë me betejën tonë, atëherë detyra jonë është të vazhdojmë betejën. Dhe detyra juaj e parë është të vendosni me votë drejtimin e vazhdimit të kësaj beteje. Kërkesa ime është të vazhdojmë këtë betejë së bashku për ta çuar deri në fund. Dua që nga kjo betejë të dalim të bashkuar, më të bashkuar seç hymë në këtë betejë. Unë kërkoj që së bashku ta vazhdojmë këtë betejë deri në arritjen e stacionit final që është rrëzimi i këtij regjimi, sepse për mua ka vetëm një kundërshtar, një dhe vetëm një objektiv që duhet rrëzuar një orë e më parë dhe ky është Edi Rama i cili qartësisht nuk do që ne ta vazhdojmë këtë betejë”.
Ai garantoi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në PD dhe tha se demokratët do të dalin më të bashkuar se kurrë. Sipas tij askush nuk ka të drejtë të hedhë poshtë atë që është ndërtuar në PD përgjatë këtyre viteve.
“E vetmja gjë që nuk mund të pranoj dhe që nuk do ta pranoj, ndërkohë që investohej për këtë bashkim, duhet të investohem jo thjesht si kandidat, jo thjesht për formimin dhe kulturën se në nuk po njihemi sot dhe as këto 8 vite që kam drejtuar Partinë Demokratike falë besimit tuaj, kemi kohë që njihemi drejtpërdrejt dhe përmes medias dhe as vetëm me përgjegjësinë e kryetarit në detyrë që minimum që duhet të bëj është të garantoj që gara të ketë mbarëvajtje demokratike dhe të dalim të bashkuar. Por dhe për një arsye shumë më madhore e kërkoj. E kërkoj sepse askush nuk ka të drejtë për kurrfarë arsyeje te hedhë poshtë atë që kemi ndërtuar së bashku deri më sot. Askush! As unë, as kandidatët e tjerë dhe askush”.
Basha theksoi se gara për kryetar në Partinë Demokratike tregon që kjo është një parti e hapur.
“Këto zgjedhje apo kjo garë brenda partisë, është një moment pa diskutim i mirëpritur dhe që i fakton mbarë opinionit publik të kundërtën e asaj që thuhet që ne jemi një parti e hapur e bazuar në vlera, që ne jemi një parti e garës, jemi pra një parti e qytetarisë, një parti europiane. Dhe pa diskutim ajo që kjo garë dëshmon, është demokratët gjithmonë e kanë mirëpritur hapjen, provat janë edhe në këtë garë, ku shumë prej kandidatëve janë produkt i hapjes. Dhe hapi i parë në vazhdimin e kësaj beteje është 13 qershori, ku pjesëmarrja dhe prania në një proces demokratik të brendshëm do t’i tregoje jo thjesht demokratëve, jo thjesht anëtarëve të familjes tonë politike, simpatizantëve, ndjekësve, votuesve tanë, por gjithë Shqipërisë se ne jemi dhe mbetemi garancia për ta çuar betejën dhe aspiratën e tyre për ndryshim deri në fund”. (A2 Televizion)