
“Më vjen shumë keq që do të vuajmë edhe 4 vjet të tjera në opozitë, por shpresoj që kjo garë të zgjidhë diçka në PD. Më vjen shumë keq që Basha nuk u la kohë që demokratët të përballen me këto platforma të reja. Nga ana tjetër, Basha i vë dhe shkopinj nën rrota këtij procesi dhe zvogëlohet si lider, futet në një kuti shkrepëse”.
Kështu u shpreh në “Absolut 4” Arben Ristani, ish-sekretar i përgjithshëm në PD, teksa komentoi garën për kryetar në partinë ku ai bën pjesë në zgjedhjet e 13 qershorit.
Më tej, Ristani theksoi se demokratëve u ka ardhur në “majë të hundës” me mënyrën e drejtimit nga Basha.
“Nuk diskutohet fare që gara do të jetë reale, që do të ketë votë kundër Bashës nuk diskutohet, e ndjej nga demokratët, të cilëve u ka ardhur në majë të hundës me këtë mënyrë drejtimi të Bashës. Kryetari në detyrë ka shumë prioritet dhe gara është pabarabartë, por nga ana tjetër besoj shumë dhe te moraliteti i kandidatëve që vijnë të panjollosur dhe me programe”, u shpreh Ristani. (A2 Televizion)