
Ndërsa fliste për buxhetin e vitit 2021 dhe ato që ai i quan afera korruptive të qeverisë, kreu i PD, Lulzim Basha deklaroi se do të donte që zgjedhjet të ishin këtë të diel për të rikthyer në xhepat e shqiptarëve të gjitha paratë e vjedhura.
Kreu i PD lëshoi një thirrje ndaj kujtdo që do të lidhë një marrëdhënie kontraktuale me qeverinë në këto 4 muaj, të jetë i kujdesshëm.
“Buxheti i vitit 2021 nuk ekziston, është akti i fundit i hajdutërisë i një qeverie që ka humbur çdo legjitimitet, demokratik, moral, politik. Ndaj i drejtohem çdokujt që shef veten të pasqyruar në këtë buxhet të jetë i kujdesshëm. Pavarësisht së zgjedhjet janë në 25 prill dhe do të doja të ishin këtë të diel, asgjë nuk do na ndalojë që çdo qindarkë e vjedhur me taksa e shpenzime korruptive, ta marrim e ta rikthejmë në cilindo xhep të shkojë.
Në emër të prindërve shqiptarë që kanë humbur vendin e punës dhe pacientëve me Covid, dhe sëmundje të tjera që nuk marrin rimbursim për ilaçet, i bëj thirrje çdokujt, që do të lidhë një marrëdhënie kontraktuale me shtetin, të jetë jashtëzakonisht i kujdesshëm”, deklaroi Basha.
Pak minuta më parë, kreu i qeverisë deklaroi në komunikimin me gazetarët për ekonominë se nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diel mazhoranca do të arrinte një rezultat më të mirë se në zgjedhjet e fundit të vitit 2017. (A2 Televizion)