
Kryeministri Rama ka komentuar, këtë të mërkurë, marrëveshjen e bërë publike, një ditë më parë, me Greqinë për ta çuar çështjen e detit në Gjykatën Ndërkombëtare.
Rama theksoi se kjo çështje është hapur nga Shqipëria, pasi “për Greqinë ishte e mbyllur me marrëveshjen me Berishën, Lulin dhe Metën”.
“Atë çështje e rihapa unë dhe me Partinë Socialiste. Në Gjykatën Kushtetuese ka shkuar Partia Socialiste. Gjykata e ka rrëzuar atë marrëveshje me kërkesë si paditës të PS. Çështja është rihapur falë këmbënguljes, durimit dhe vullnetit tonë, dhe falë vizionit për të ardhmen e përbashkët të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, i cili qartësisht ka zgjedhur të vërë në dispozicion të zgjidhjes së të gjitha çështjeve të gjithë vullnetin e tij të mirë. Kështu që, më në fund, pala greke ra dakord me ne për ta çuar çështjen para drejtësisë ndërkombëtare, në duart e një gjykate që i ka të gjitha kompetencat që të japë drejtësi për këtë problem. Kjo është një zgjidhje ideale për ne, e cila në bazë të të gjithë protokolleve dhe standardeve, do të ulemi dhe të përgatitemi për të arritur në një zgjidhje të drejtë. Çfarë kërkojmë ne është e qartë. Ne kërkojmë një marrëveshje të drejtë”.
Kryeministri u shpreh se marrëveshja e mëparshme ka qenë e padrejtë për Shqipërinë”. “Të tjerat janë skandale mendore, shprehje të ligësisë që furnizon injorancën me qëllim në funksion vetëm të pushtetit të disa mediokërve që duan me çdo kusht plaçka në Shqipëri. Shqiptarë këta! Shqiptarë! Këtyre nuk i shkon një sekondë t’iu prekë gjumin as deti, as ajri, as toka, por vetëm plaçkitja. Këta janë plaçkitës të lindur, e kanë treguar sa herë kanë qenë në pushtet”, tha Rama. (A2 Televizion)