Mediu: Si mund të shtohen votat e PR-së nëse përjashtohemi nga mundësia e kandidimit në Shkodër?

Nga A2 CNN
19 Janar 2021, 09:41 | Politikë
Mediu: Si mund të shtohen votat e PR-së nëse përjashtohemi

Në aktivitetin e Partisë Republikane në Shkodër u prezantuan kandidatët e saj për zgjedhjet e 25 Prillit. Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, duke iu referuar historisë politke 30-vjeçare të Partisë Republikane dhe aleancës me Partinë Demokratike.

Mediu tha: “Ne u krijuam si parti antikomuniste, për t’u shndërruar më vonë në një parti me besimin te vlerat e jetës, lirisë dhe ndërtimit të lumturisë, të drejta këto të patjetërsueshme të dhëna nga Zoti. Nga krijimi i Partisë Republikane dhe deri më sot, ne kemi qenë dhe jemi aleatë, bashkudhëtarë dhe bashkëkontribues me Partinë Demokratike dhe forcat e djathta. Kemi qenë së bashku në opozitë, në qeverisje, Parlament, kemi qenë bashkë me ju në protesta, kundër krimit dhe korrupsionit, kundër së majtës. Kemi pasur përgjegjësi të përbashkëta politike, kemi punuar së bashku për ta bërë Shqipërinë vend anëtar të Bashkimit Europian, ashtu siç kemi punuar së bashku dhe e bëmë Shqipërinë vend anëtar të NATO-s dhe unë dua të falënderoj këtu në mënyrë të veçantë liderin e së djathtës shqiptare, ish-kryeministrin e Shqipërisë dhe ish-Presidentin e Shqipërisë, zotin Sali Berisha. Po çfarë është Partia Republikane? Partia Republikane në plan të parë ka interesin kombëtar. E dyta, është një parti e individit dhe lirisë, si forca që lëvizin shoqërinë përpara dhe po ashtu dhe ekonominë e vendit. E treta, parti për një qeverisje të vogël, që ka autoritet brenda Kushtetutës, në shërbim të Jetës, Lirisë dhe ndërtimit të lumturisë. E katërta, një parti që vlerëson dhe beson se familja është guri i themelit të shoqërisë shqiptare, shoqëruese e gjithë historisë sonë, ka frymëzuar dhe frymëzon kohezion social, qëndrueshmëri shoqërore dhe padyshim identitet kombëtar. E pesta, një parti që ka besuar se tregu i lirë dhe ekonomia nuk mund të zhvillohet pa respektimin e së drejtës së pronës private. E gjashta, një parti që beson në lirinë ekonomike dhe biznesin, si rruga e vetme që zhvillon ekonominë dhe ndërton të ardhmen e vendit tonë”.

Mediu shtoi se, “Partia Republikane, në vitin 2013 në Shkodër, për 40 vota nuk ka marrë mandatin e deputetit. Pyetja është e thjeshtë: A i duhen Partisë Demokratike 4 800 votat e Partisë Republikane? Unë mendoj që po, të bëjmë një aritmetikë të thjeshtë, patjetër i duhen, se në 2017 humbëm dhe 4000 vota të tjera. Pra, duhet të shtojmë për të marrë mandatin e pestë edhe 4000 të tjera. Atëherë, si mund të përjashtojmë nga procesi kandidimin e njerëzve të Partisë Republikane? Ajo që i kemi kërkuar Partisë Demokratike është e tillë: të dashur miq, le të vendosim disa kritere, kritere të cilat janë të barasvlefshme për Partinë Demokratike, për Partinë Demokristiane, për Partinë e të Drejtave të Njeriut, për partinë çame dhe të gjithë partive që janë në koalicion, sepse një transparencë dhe kritere të barabarta ndërtojnë një raport të drejtë, në mënyrë që dhe votat e Partisë Republikane në Kukës, në Dibër, në Gjirokastër, apo në çdo rreth, t’i shtohen Partisë Demokratike dhe në këtë rast interesi është i Partisë Demokratike. Por, si mund të shtohen votat e Partisë Republikane, nëqoftëse Partia Republikane përjashtohet nga mundësia e kandidimit në Shkodër? Nuk kërkuam privilegj, as zonë të lirë, por po kërkojmë njerëz që të kontribuojnë në fitoren e opozitës. Prandaj, të bashkohemi në Shkodër dhe mbarë Shqipërinë në datë 25 Prill, për ta rikthyer vendin në rrugën dhe vlerat europiane”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos