Zgjedhjet e 25 prillit, Vasili: Dalja me dy lista e opozitës mundëson çdo votë opozitare

Nga A2 CNN
19 Janar 2021, 10:03 | Politikë
Zgjedhjet e 25 prillit, Vasili: Dalja me dy lista e opozitës mundëson

“Asnjë sekondë kohë për të humbur me këtë landfilld dhe incenerator qeverisës. Kam vetëm një fokus, bashkë me LSI-në; Detyrat e pakryera të qeverisë, shqetësimin e njerëzve që kanë humbur shtëpitë nga tërmeti, njerëzve të përmbytur, njerëzve pa ndihmë në pandemi, shqetësim për ndarjen e Shqipërisë copa-copa, siç ndodhi në Dubai, dhe këto janë detyrat e mia”. Kështu iu përgjigj nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, deklaratave të socialistëve për shkërmoqjen e kësaj force politike.

I ftuar në studion e "Ditari" në A2 CNN, ai tha se se ata që u larguan nga LSI-ja u bashkuan me grupin e inkriminuar të Rilindjes. Sa u takon deklaratave të Veliajt dhe Ballës për LSI-në, Vasili tha se 25 prilli është për ta nxjerrë këtë haur qeverisës, ndërsa i akuzoi ata se po rrëmbejnë pronat publike.

“Unë s’kam asnjë sekondë kohë të merrem me një grupim politik të inkriminuar deri në fyt. Ju i dini deputetët. 25 prilli është për ta nxjerrë këtë haur dhe të fryjë një erë e freskët dhe ndonjë nga LSI-ja e gjeti vendin tek ata. Shqiptarët kërkojnë përgjigje për këto gjëra madhore sa u takon batakçinjve, këto janë borxhe të mëdha. I pari po i nxjerr themelet Tiranës, po rrëmben dhe pronat publike, ky batakçiu tjetër ka prerë gjithë pyjet e Librazhdit. Ky i bashkisë duhet t'u thotë të tjerëve si fitoi me G99, ku e çoi partinë e tij dhe vajti të lëpijë ndonjë nga kockat e Edi Ramës”.

Sa i takon mënyrës se si do të dalë LSI-ja në zgjedhje, Vasili theksoi se fronti opozitar është e bashkuar në aksion të vazhdueshëm dhe me denoncime të përditshme.

“Ka një opozitë të bashkuar dhe këtë nuk e luan topi dhe e keni në sytë tuaj, ka një opozitë që është gjithë ditën në terren, si LSI dhe PD, opozita është në aksion të vazhdueshëm dhe keni denoncime të përditshme dhe vënie në dispozicion të platformës sonë. Dje, Kryemadhi ka vënë në dispozicion ushqimin e popullatës ku 30% prodhohet këtu dhe 70% importohet nga jashtë dhe në vend që të ngremë potencialin e brendshëm u shërbehet oligarkëve”.

Në këndvështrimin e tij, Vasili thotë se dalja me dy lista i jep mundësi çdo qytetari që të jetë i përfaqësuar dhe zeron mundësinë që vota e opozitarit të rrijë në shtëpi. Sipas tij, ky është një model realist dhe u jep përgjigje trukeve dhe manipulimeve me Kodin Zgjedhor.

“Sa u takon taktikave elektorale, jemi vënë përpara një ndryshimi të dhunshëm e të njëanshëm të Kodit Zgjedhor. Ndryshimet që i rezistuan kohës janë aty. Një opozitë e përgjegjshme zgjedh atë model që maksimizon çdo votë. Për herë të parë, kemi vetëm një parti në një krah dhe një front opozitar të madh. Mbi 85% e elektoratit të 30 qershorit e refuzoi Ramën, nuk mori pjesë në zgjedhje dhe gjithë ky zemërim duhet të akomodohet në modelin më të mirë të mundshëm dhe një nga mundësitë e mëdha është që të kemi sa më shumë kandidatë. Gjithë ky kapital, opozita kërkon hapësirë përfaqësimi, ndaj unë e kam parë që është e qartë se dy lista të gjera mundësojnë që çdo qytetar të gjejë veten. Kanë objektiva të përbashkëta, siç është largimi i kësaj qeverie dhe rimëkëmbja ekonomike. Kemi situatë katastrofike ekonomike dhe programet kanë veçoritë e tyre dhe opozitat janë të vlefshme kur janë të mëdha. Në këtë pikëpamje, ky është një model realist që u jep përgjigje trukeve dhe manipulimeve me kodin zgjedhor. PS imponoi një model konkurrimi, me një listë të vetme donte të ngushtonte elektoratin në një hinkë. Ne heqim hinkën dhe hapim mundësinë, ndaj kjo e zeron mundësinë që vota opozitare të rrijë në shtëpi”.

Vasili theksoi se fronti i bashkuar opozitar ka një marrëveshje bashkëpunimi që vazhdon prej 4 vitesh dhe qytetarët e kanë të qartë pse duhet refuzuar Rilindja.

Fronti i bashkuar opozitar ka një marrëveshje bashkëpunimi që vazhdon prej 4 vitesh dhe ky është një element thelbësor që i shpëton vëmendjes së medias dhe si i tillë është një realitet krejtësisht i ri se forcat politike janë në gjendje të bashkëpunojnë për objektiva madhore. Parti të caktuara që kanë bashkëpunuar po mbyllin marrëveshjet e tyre. LSI është shumë e qartë sa i takon përfaqësimit të saj. Njerëzit janë afirmuar në këtë aksion të përditshëm disavjeçar. Rilindja u bëri të qartë qytetarëve që kurrë të mos pranojnë mashtrimin politik. Kanë parë qartë si duhen refuzuar”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos