
Kryeministri Edi Rama iu kthye edhe një herë kritikave ndaj Bashkimit Evropian për vaksinat dhe letrës së Ambasadës Franceze, e cila thoshte se kreu i qeverisë sonë kishte bërë deklarata të pavërteta.
“Unë fola për vaksinat, ata më tregojnë se çfarë ka bërë BE-ja për Shqipërinë. Unë e di se çfarë ka bërë, nuk e harroj kurrë dhe nuk do ta harroj gjithë jetën. Nuk e harroj se çfarë u bë për rindërtimin, e të tjera. Por, nuk kanë lidhje me vaksinën këto. Duhet të themi faleminderit që na latë jashtë apo të mos flasim fare? Jemi miq të pandarë dhe partnerë me BE-në, kam respekt absolut për gjithçka që e bën BE-në forcë të pazëvendësueshme, por kjo nuk do të thotë se unë nuk duhet të hap gojën për njerëzit e mi. Pse duhej të mërzitej ambasada? Unë thashë vetëm një fakt, nuk u kushtonte asgjë që të vendosnin një shumë vaksinash për mjekët e rajonit. Pse duhet të bëjmë ne operacione sekrete, kur mund t’i jepeshin Shqipërisë, Kosovës apo Malit të Zi. Nuk janë shumë mjekë e infermierë në rajon. Turp për ata që mbrojnë BE-në nga unë”, u shpreh Rama. (A2 Televizion)