
Kryesia e PD është mbledhur në orën 17:00 të kësaj të diele. A2 ka mësuar detaje nga brenda Kryesisë, ku Fatbardh Kadilli, mësohet të ketë kërkuar dorëheqjen e Bashës.
“Problemet në zgjedhje nuk duhet të justifikojnë humbjen; për një pjesë të problemeve je vet përgjegjës, për një pjesë tjetër, ke qenë i pazoti t’i ndalosh. Lufta për votën bëhet brenda sistemit. Kjo luftë do vazhdojë sa herë të ketë zgjedhje. Nuk je aspak i nevojshëm për luftën institucionale për votën, kemi ekipin më të mirë dhe ekspertizë të shkëlqyer. Ata që na dhanë fitoren tënde në 2011, luftën politike e bëjmë me një koncept të ri, me qasje të re dhe me frymëzim të ri, me besueshmërinë, me vërtetësinë dhe me vendosmërinë si tipare që ty të kanë munguar. Je humbës i përsëritur prej defekteve personale. Humbja është e jotja. Të kemi mbështetur duke sakrifikuar identitetin tonë dhe profilin politik, karrierën dhe çdo gjë. Nuk dhe shpresë, nuk ngjalle besim, nuk bashkove flukset, profilet, kontributet, por ndave. Kanë dalë më shumë parti nga PD në vitet që drejton ti se në 20 vjetet para teje. Drejtove çdo gjë vetëm dhe pa forume, pa përfshirë askënd. E ndërtove opozitën me kauza rastësore dhe ishe i destinuar të dilje humbës. Braktise shumë kauza duke korruptuar besimin e mbështetjes; Nuk ndërtove raport të qartë dhe besimi me aleatët strategjik; Mbete peng i lobimeve private dhe nuk pate asnjëherë një qasje solide dhe strategjike. Mos u fshih pas mbështetjes që kërkon lartë e poshtë në parti. Edhe Berisha kishte mbështetje absolute në parti, por kishte realizmin të ikte. Ti nuk mund të ndërtosh më asgjë të re. Në qoftë se unë jam bartës i një projekti të ri, ti je kujtesa e projektit të shteruar dhe humbjes”, mësohet të ketë thënë Kadilli.
Ndërkohë, Basha ka ftuar demokratët të bashkohen në atë që ai e quan betejë për ndryshim. “Shqiptarët e votuan ndryshimin me zemër, ata e duan atë sot më shumë se kurrë. Kjo fushatë e provoi se ne edhe propogandës së tyre mund t’i bëjmë ballë. Ne mundemi ta shkatërrojmë atë me zemër, me shpresë. Ndaj të bashkuar ju ftoj t’i prijmë me gjithë forcën tonë betejës për ndryshim për të gjithë demokratët dhe gjithë shqiptarët”, u shpreh Basha. (A2 Televizion)