Çmimet e arbitrave, më të mirët e vitit 2019 pa stemë të FIFA-s

Nga A2 CNN
15 Janar 2020, 13:22 | Futboll
Çmimet e arbitrave, më të mirët e vitit 2019 pa stemë

Arbitrat shqiptarë të futbollit janë njohur me më të mirët për vitin 2019. Për meshkuj çmimi shkoi për Kridens Metën, një prej veteranëve të gjykimit, ndërsa për femra, më e mira u zgjodh Mirela Cemeri.

Ajo që bie në sy pas këtyre vlerësimeve është se dy më të mirët në kategoritë e meshkujve dhe femrave nuk janë mes arbitrave që mbajnë stemën e FIFA-s.

Për meshkuj, në arenën ndërkombëtare mund të arbitrojnë vetëm Enea Jorgji, Eldorjan Hamiti dhe Juxhin Xhaja, ndërsa nga femrat konfirmohet Emanuela Rusta.

Nga kjo kategori vjen edhe risia më e madhe, pasi për herë të parë Shqipëria ka një treshe arbitresh femra me stemën e FIFA-s, ku përpos Rustës janë edhe asistentet Erinda Kume dhe Koleta Prenga.

I pranishëm në ceremoninë për ndarjen e çmimeve për arbitrin më të mirë ishte dhe kreu i FSHF, Armand Duka i cili ftoi të pranishmi që të jenë të drejtë dhe të mos mendojnë tek favori momental që mund të përfitojnë. Ai iu kërkoi arbitrave të kenë aleatë lojën dhe drejtësinë.

“Të jesh i bindur që të mos cenosh rezultatin e askujt, duke mos menduar jashtë loje. I vetmi aleat që mund të keni gjatë të gjithë karrierës tuaj është vetë loja. Nëse mendoni se duhet ta mbaj mirë me dikë, t’i shërbej këtij apo atij, apo të bëni ndonjë favor ekonomik, do ngeleni në rrugë. Në një vend me shumë probleme si Shqipëria nuk është e lehtë të japësh drejtësi, por gjithsesi kur njerëzit binden që ti ke dhënë drejtësi, ti ke fituar imunitet përballë të gjithë atyre fenomene negative që rrethojnë shoqërinë shqiptare. Po të kemi aleat dhe partner lojën dhe drejtësinë besoj se do të jeni shumë më mire”, u shpreh Duka. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos