
Tirana afrohet me tifozët për aventurën europiane. Edhe pse pati vështirësi me sigurimin e stadiumit për ndeshjet në Conference League dhe njoftoi UEFA-n për spostimin në Elbasan Arena, bardheblutë janë rikthyer në kryeqytet.
Klubi arriti marrëveshjen që ndeshjen e turit të parë ndaj Dinamo Batumi ta zhvillojë në Arenën Kombëtare.
Njoftimi u dha në faqet zyrtare në rrjetet sociale dhe u konfirmua nga drejtuesit e skuadrës. Përballë rivalëve gjeorgjianë, Tirana do të zbresë në fushën e impiantit më të madh në vend më 13 korrik, duke nisur prej orës 20:00.
Bardheblutë njoftuan edhe UEFA-n për arritjen e marrëveshjes. Rikthimi i tyre në kryeqytet u zyrtarizua edhe në faqen zyrtare të Konfederatës Europiane të futbollit, që vetëm pak orë më parë kishte njoftuar zhvillimin e përballjes në Elbasan.
Dy ditë më parë në Arenën Kombëtare do të luajë Partizani, me të kuqtë që do të jenë të angazhuar përballë BATE Borisov në turin e parë kualifikues të Champions League.
Fakti që ndeshjet ndërkombëtare të dy skuadrave të kryeqytetit kanë 48 distancë nga njëra-tjetra, e bënë edhe më të thjesht rikthimin e Tiranës në shtëpi. Në këtë mënyrë, bardheblutë do të kenë mbështetje edhe më të madhe të tifozëve, për të realizuar objektivin e kualifikimit në turin e dytë. (A2 Televizion)