
Gjykata ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg për dy të ndaluarit, Altin Ndoci dhe Klevis Alla, 22 vjeç, të cilët dyshohen si vrasës të dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhiaj, ngjarje kjo e ndodhur pranë “NISH Tullës” në datën 27 prill.
Pas dhënies së masës së sigurisë, avokati i Altin Ndocit, Sajmir Vishaj, është shprehur se klienti i tij nuk ka lidhjen me ngjarjen, madje ai thekson se Ndoci kishte edhe lidhje shoqërore dhe familjare me dy vëllezërit.
“I mbrojturi prej meje është shprehur se nuk e ka kryer atë krim. Nga ana e Prokurorisë nuk është paraqitur asnjë provë. Ai ndihet i shokuar, pasi ka pasur lidhje shoqërore dhe familjare me të dy viktimat. Ai ka shkuar edhe në varrim dhe në të tretat dhe ndjehet i shokuar se pse i është vënë gishti nga policia për këtë ngjarje, aq më tepër për ngjarjen e kaluar për të cilën akuzohet. Unë kam kërkuar që të mos vendoset marra e arrestit me burg pas asnjë provë”, tha Vishaj.
Ndërkohë, Klevis Alla mësohet se ka bashkëpunuar në zbardhjen e skemës së ngjarjes. (A2 Televizion)