Drafti i Komisionit të Venecias, kritikohet procedura e nxituar, por nuk ndryshon asgjë para 25 prillit

Nga A2 CNN
3 Dhjetor 2020, 13:30 | Politikë
Drafti i Komisionit të Venecias, kritikohet procedura e nxituar, por nuk

Ndryshimet Kushtetuese dhe Kodi Zgjedhor ndryshuan në një kohë ekstremisht të shpejtë, në kundërshtim me rregullat më demokratike të bërjes së ligjit, thuhet në draftin paraprak të Komisionit të Venecias. Dhe për këtë, ekspertët nuk janë bindur as nga argumenti i kryeministrit se nxitimi u bë për shkak të pandemisë.

“Procedura për miratimin e ndryshimeve në Kushtetutë ishte ekstremisht e nxituar. Procedura formale në Parlament ishte jashtëzakonisht e shkurtër (rreth një javë), dhe i gjithë procesi nga prezantimi i iniciativës deri te miratimi i saj, zgjati një muaj”.

Por kjo nuk është një fjali që i jep shpresë opozitës për ndryshimet që kërkon për zgjedhjet e 25 prillit. Ajo shpresonte që me fjalën e Venecias të rikthente modelin e koalicioneve, ku secila parti garon me listën e saj të kandidatëve. Por, ndërsa pritet raporti final i atij që zyrtarisht quhet Komisioni për Demokraci përmes ligjit, drafti i mbërritur paraprakisht për palët në Tiranë thekson se para zgjedhjeve duhet shmangur çdo ndryshim në ligjin zgjedhor.

1. Të gjitha autoritetet duhet të hyjnë në një dialog konstruktiv dhe të bëjnë çdo përpjekje për të zbatuar ligjin elektoral në kohë.  
2. Të shmanget çdo ndryshim tjetër i legjislacionit elektoral para zgjedhjeve te ardhshme parlamentare.
3. Kryetarët e partive politike duhet të përmbahen për të mos kandiduar në disa zona.
4. Të sqarohet impakti i ndryshimeve në lidhje më koalicionet në raport me nenin 96 të Kushtetutës për caktimin e Kryeministrit. 


Ndryshe nga pretendimet e opozitës se mazhoranca cenoi kodin e praktikës së mirë, duke ndryshuar njëanshëm elemente thelbësore të sistemit një vit para zgjedhjeve, Venecia nuk e sheh ndryshimin e skemës së koalicionit si të tillë. Gjithsesi, duke qenë se koalicionet janë strategji për maksimalizim votash, Venecia jep këtë mendim:


“Një ndryshim që mund të duket si shqetësim thelbësor ka të bëjë me heqjen e koalicioneve, në krahasim me versionin e vjetër të kodit zgjedhor. Kjo ka pak gjasa që të çojë në ndryshimin e ndarjes së një numri të madh mandatesh. Sidoqoftë, në një garë të ngushtë zgjedhore, këto ndryshime mund të jenë vendimtare për marrjen e shumicës së mandateve në Parlament”

Por ekspertët e huaj nuk harrojnë të kujtojnë se në 2017 u garua pa koalicione me marrëveshje politike.

‘’Është për t’u pasur në vëmendje se në 2017, rregulli për koalicionet nuk u aplikua pas marrëveshjes konsensuale politike, kështu që në praktikë asnjë ndryshim real nuk do të ndodhë krahasuar me zgjedhjet e fundit parlamentare’’ .

Edhe hapja e listës sipas ekspertëve të Venecias nuk do të sjellë ndonjë ndryshim thelbësor, pasi do të jetë shumë i vështirë ndryshimi nga rezultati i renditjes së partisë, për shkak të numrit të madh të votave që duhet të marrë një kandidat me votën preferenciale. 

Ekspertët e Venecias shprehin edhe keqardhje për djegien e mandateve nga opozita, duke hequr dorë nga pasja e çdo ndikimi politik mbi ndryshimet. Përgjigje merr dhe presidenti Meta i cili ka ngritur pretendimin e Parlamentit jolegjitim, për shkak se në të ndodhen 122 dhe jo 140 deputetë.

Sipas Venecias, Parlamenti është me kuorum të mjaftueshëm për funksionimin e tij. Tani palët janë në fazën e prapësimeve nga gjetjet paraprake të Komisionit të Venecias e do të presin deri më 10 dhjetor për të parë se cili do të jetë opinioni zyrtar i tyre mbi çështjen e ndryshimeve kushtetuese dhe Kodit Zgjedhor të 5 tetorit.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos