
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, gjatë fjalës në parlament tha se marrëveshja që do të miratohet me Bankën Europiane për Rindërtim dhe zhvillim parashikon një financim prej 15 milionë eurosh.
Sipas ministres, kjo shumë do të investohet në rritjen e kapaciteteve të laboratorëve për të kryer testime për Covid-19 si dhe për rekrutimin e stafit të ri.
“Ky financim që ne sot kalojmë, marrëveshja me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, do të fuqizojë kapacitetet e sistemit tonë shëndetësor në reagimin e emergjencës Covid-19. Kjo marrëveshje parashikon që në vlerën 15 milionë euro, të përdoret për 3 komponentë kyç në reagimin ndaj emergjencës Covid.
Së pari, në parandalimin e përhapjes së infeksionit Covid-19 dhe rritjen e kapaciteteve laboratorike, në përputhje me strategjinë tonë të vjeshtë-dimrit.
Së dyti, rritja e kapaciteteve të sistemit shëndetësor për trajtimin e pacientëve me Covid 19 dhe sëmundjet që lidhen me të, duke filluar nga rekrutimi i stafeve të reja, sigurimin e autoambulancave të reja dhe zgjerimin e kapaciteteve spitalore.
Së treti, përfshin edhe masat për komunikimin dhe distancimin fizik si dhe duke përmirësuar nëpërmjet teknologjisë së informacionit edhe konsultat online”, tha Manastirliu. (A2 Televizion)