
Shefi i diplomacisë gjermane, Heiko Maas, zbriti në Prishtinë me një mision të qartë: të rivitalizojë procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Atë e priti në takim, fillimisht, presidentja Vjosa Osmani. Në konferencë për shtyp, ata adresuan një sërë çështjesh me rëndësi, si liberalizimi i vizave për Kosovën dhe furnizimi i munguar me vaksina anti-covid.
Por fokusi ishte në vazhdimin e bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian.
“E informova ministrin që ne do të vazhdojmë të ngremë zërin dhe të bëjmë çmos që të ketë drejtësi për gjitha këto viktima. Për ne ky proces i dialogut ka nevojë për një reset”, deklaroi presidentja Osmani.
Ndërkohë Maas deklaroi se “natyrisht se njohja e Kosovës do të jetë një nga elementet e zgjidhjes, përndryshe nuk do të realizohet. Përtej kësaj nga dy anët është normale në dialogët për normalizim të ketë një kompromis”.
Ata adresuan edhe idenë e ndryshimit të kufijve, që qarkulloi tek mediat sllovene si zgjidhje e mundshme për konfliktin Kosovë-Serbi.
Ndërkohë Vjosa nënvizoi se “ne e kemi ritheksuar dhe do ta theksojë vazhdimisht se ide të tilla janë të rrezikshme jo vetëm për Kosovën dhe rajonin, por përtej rajonit dhe i takojnë shekullit të 18-të. Andaj nuk duhej të gjenden vend në Evropë dhe kudo sepse vizatimi i kufijve në baza etnike është në kundërshtim me vlerat evropiane që qëndron BE-ja”.
Ministri gjerman vijoi duke thënë se “nënvizoj qartë se idetë, të cilat janë shprehur kohëve të fundit për çështjet e shprehura komplekse, sociale dhe politike mund të zgjidhen me vizatim në harta i konsiderojmë jo realiste dhe tejet të rrezikshme. Ne e konsiderojmë këtë të rrezikshëm edhe diskutimin që bëhet përreth tyre”.
Maas u prit edhe nga kryeministri, Albin Kurti dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë së Kosovës. Pas Prishtinës, Heiko Maas do të udhëtojë për në Beograd, ku do të bisedojë rifillimin e dialogut edhe me zyrtarë të Serbisë. (A2 Televizion)