Rimëkëmbja e ekonomisë, industria ndez motorët, konsumi penalizon shërbimet

Nga A2 CNN
20 Qershor 2021, 14:31 | Ekonomi
Rimëkëmbja e ekonomisë, industria ndez motorët, konsumi

Rimëkëmbja e ekonomisë shqiptare gjatë fillimit të këtij viti është shfaqur në mënyrë të vrullshme për industrinë dhe prodhuesit e të mirave materiale, por ka çaluar për sektorin e shërbimeve, që përfshin një numër të madh biznesesh dhe të punësuarish.

Rindezja e motorëve të ekonomisë botërore ka dhënë ndikimin e saj edhe në vendin tonë, ku industria nxjerrëse dhe ajo përpunuese kanë rritur shitjet me përkatësisht 23.3% dhe 21.2% më shumë krahasuar me Janar-Marsin 2020. Ndërsa sektori i ndërtimit vazhdon të shijojë bumin e lejeve të reja të akorduara, si dhe nga programi i rindërtimit pas tërmetit.

Megjithatë, edhe brenda grupeve të industrisë ka diferenca të mëdha, si ecuria e dobët për prodhuesit e mallrave të paqëndrueshme të konsumit, ku përfshihen bujqësia dhe produktet e tjera ushqimore, së bashku me konfeksionin e veshjeve dhe prodhimi i produkteve të lëkurës.
Njëkohësisht, pavarësisht situatës pozitive këtë fillimvit për industrinë në tërësi, numri i të punësuarve vijon të jetë më i ulët se ai përpara pandemisë.

Tek shërbimet, sektorët e vetëm që paraqiten në rritje janë tregtia dhe informacioni, me këtë të fundit si një nga fituesit e mëdhenj të krizës. Por për hotelerinë, bar restorantet dhe agjencitë e udhëtimit, tremujori i parë është përkthyer në një rënie shitjesh nga -5.5% deri në -46.7%. Në rënie po ashtu edhe transporti e magazinimi, së bashku me aktivitetet arkitekturore dhe inxhinierike.

Ecuria e dobët e konsumit për çdo gjë që nuk përfshihet në produktet bazë të shportës, shihet si faktori kryesor në këtë tkurrje. Por bizneset do të presin veçanërisht periudhën e verës dhe lehtësimin e vazhdueshëm të masave, si brenda vendit, ashtu edhe për lëvizjen e qytetarëve jashtë tij. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos