Rritja e pagave në administratë, dyfish më e madhe sesa në privat

Nga A2 CNN
17 Qershor 2021, 11:28 | Ekonomi
Rritja e pagave në administratë, dyfish më e madhe sesa në

Rrogat e shqiptarëve janë rritur me 10 mijë lekë në 7 vitet e fundit, por kjo shifër varion ndjeshëm nëse je i punësuar në shtet apo në privat. Të dhënat e Institutit të Statistikave shfaqin një disbalancë të theksuar në ecurinë e pagës mesatare bruto, ku për të njëjtën periudhë që në privat pagat janë rritur me 8600 lekë; në shtet janë rritur me 15 mijë lekë, thuajse dyfishin.

Punëdhënësit më të mëdhenj të ekonomisë janë edhe ata që kanë shfaqur pamundësinë më të madhe për të rritur shpërblimin e punonjësve të tyre. Kështu në bujqësi, paga mesatare nuk ka ndryshuar, ndërsa në industri dhe ndërtim është rritur përkatësisht 14.7% dhe 10.7%.

Një rritje të dobët të pagave kanë pasur edhe sektorë tradicionalisht të mirëpaguar, si informacioni dhe komunikacioni dhe aktivitetet financiare, të dyja me një rritje të përafërt 12% në 7 vjet.
Megjithatë ka edhe nga ata sektorë, që shfaqin një rritje më të madhe të pagave se sa shteti: si sektori i argëtimit dhe shërbimeve; aktivitetet profesionale dhe tregtia. Megjithatë edhe në këtë rast, një pjesë e madhe e rritjes i takon formalizimit, pra deklarimit të pagës reale.

Kjo diferencë e theksuar midis rritjes së pagave në shtet dhe privat, shfaqet në krah të kundërt në vendet e Bashkimit Europian ku shteti ndjek privatin. Ndërsa në vendin tonë e bën të pasurit një punë në administratë edhe më të lakmuar nga një pjesë e qytetarëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos