Menaxhimi i gripit të shpendëve, debat midis autoriteteve dhe ekspertëve në “A2 Business”

Nga A2 CNN
16 Qershor 2021, 22:26 | Ekonomi
Menaxhimi i gripit të shpendëve, debat midis autoriteteve dhe

Gripi i Shpendëve po kthehet në shqetësim për blegtorinë shqiptare, pas pohimit zyrtar për tre vatrat e para të identifikuara nga autoritetet shëndetësore.

Sipas zëvendësministres së Bujqësisë, Ermira Gjeci, situata duket gjithsesi nën kontroll. “Kemi deklaruar që në fillim për tre vatrat e para të shpallura, ka një zgjerim të oborreve dhe zonave që ishin evidentuar. Ministria e Bujqësisë ka filluar menjëherë planin e Kontigjences, ose më mirë planin e masave për të parandaluar virusin, kemi qenë në komunikim me ministritë e linjës, si ajo e Turizmit dhe Shëndetësisë”.  

Gjeci rrëfen edhe konkretisht për disa masa. “Tre vatrat e para deri në 3 kilometrave janë zona të survejuara, brenda 3 kilometrave janë zona të karantinuara dhe izoluara. Patjetër shitje informale mund të jenë në rrugë dhe janë pjesë e kontrollit nga ana e bashkive”, vijoi Gjeci.

Eksperti Uran Derri nuk pret vendimmarrje të veçanta nga qeveria. “Gjëja e vetme që mund të bëj qeveria është shkëputja e zinxhirit të transmetimit, izolimi dhe karantinimi. Të ndalohet për një periudhë tregtimi dhe shitja, nuk ka ndonjë mundësi tjetër”, thotë ai.

Por eksperti tjetër i ftuar në Absolut 4, Ervin Resuli, nuk kursen kritikat. “Po të shohësh të vërtetën deri dje në shumë tregje kanë qarkulluar shitja e lirë e shpendëve. Deri dje veterinerët nuk kanë patur një urdhër për bllokim e tregjeve, dje është bërë një konsultë dhe janë marrë masa për të mos tregtuar”, thotë ai, i kundërshtuar me forcë nga zëvendësministrja Gjeci, që mohon se vendimi ka ardhur ditën e djeshme, madje se ka qenë vendimi i parë.

Për kryetarin e Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, Agim Rrapaj, “është situatë për të vlerësuar, dhe veterinerët privatë dhe publikë duhet të jenë së bashku. Nuk është e vërtete se blegtorët nuk janë njoftuar për gripin e shpendëve.  Shqetësimi është tek gjithë ne, por ky shqetësim nuk është i tillë për të vënë kujë, mund të menaxhohet. Komplekset tona të pularisë kanë teknologji të mirë, është një nga industritë ku janë bërë më investime, prandaj ka filluar edhe të eksportojë". (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos