
Vijojnë incidentet një ditë para zgjedhjeve lokale të 30 qershorit. Policia e Pogradecit ka vënë në pranga 2 punonjës të Bashkisë për veprën penale "Pengimi i zgjedhësit, kryer në bashkëpunim".
S.B dhe G.B. 61 dhe 59 vjeç, punonjës shërbimesh në seksionin e Arsimit u arrestuan në flagrancë nga forcat e policisë duke mbyllur me çelës 3 shkolla dhe një kopsht fëmijësh të cilat janë caktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve si qendra votimi.
Bashkitë e drejtuara nga opozita kanë njoftuar më parë se do të zbatojnë dekretin e presidentit të Republikës, Ilir Meta për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Këto bashki, disa herë i kanë kërkuar zyrtarisht KQZ përmes letrave lirimin e hapësirave që janë caktuar për KZAZ apo si qendra votimi. (A2 Televizion)