Juventusi ka regjistruar barazimin e dytë radhazi me rezultatin 1-1 në Seria A. Pasi u ndal një javë më parë nga Crotone, skuadra e drejtuar tashmë nga Pirlo nuk ka mundur të marrë më shumë se 1 pikë në ndeshjen ndaj Veronës.
Në ndryshim nga ndeshjet e fundit, bardhezinjtë ishin më krijues në këtë takim, me Dybala në formacion. Megjithatë, pjesa e parë e takimit u mbyll pa gola, ndërsa Verona kaloi e para në avantazh në minutën e 60 me Favilli-n.
Pas këtij goli, Juventusi i shtoi përpjekjet për golin e barazimit, i cili erdhi në minutën e 78 me Kulusevski-n. Në fundin e takimit, Pirlo aktivizoi edhe sulmuesin shqiptar Vrioni, i cili nuk mundi të lërë shenjë në këtë ndeshje ku dy skuadrat ndanë pikët.
Më herët, Fiorentina fitoi 3-2 ndaj Udinese-s. Ndeshja e fundit e kësaj jave në Serie A do të luhet mbrëmjen e së hënës mes Milanit kryesues dhe Romës. (A2 Televizion)