Këshilli Politik, Krasniqi: Pas detajeve teknike fshihen platforma të qarta

Nga A2 CNN
18 Shtator 2020, 20:12 | Politikë
Këshilli Politik, Krasniqi: Pas detajeve teknike fshihen platforma të

Ndryshimet kushtetuese të korrikut duhet të pasqyrohen në ligjin elektoral. Listat e hapura, pragu elektoral, barazia gjinore në lista dhe koalicionet janë ndër temat më të debatuara nga opozita dhe mazhoranca me rikthimin e Këshillit Politik.

Sot, mazhoranca çoi në Këshill draftin e saj për Kodin Zgjedhor, i cili përmbante 7 pika, ndër të cilat ajo qe shkaktoi debat ishte çështja e listave, përqindja e hapjes së tyre. Aty propozohet lista e hapur 100%, ku përveç subjektit apo koalicionit, qytetari ka të drejtën e preferencës për një nga kandidatët. Për këto zhvillime foli në A2 analisti Afrim Krasniqi, kreu i Institutit për Studime Politike.

“Dështimi i Këshillit Politik ishte i pritshëm”

“Debati i sotëm në lidhe me listat është i parëndësishëm sepse vendimi është marrë që në korrik, kur u ndryshua kushtetuta. Ne të gjithë prisnim që Këshilli Politik do të dështonte, pasi mazhoranca ka qenë në dijeni të këtij reagimi dhe prandaj ka ngritur edhe një komision të posaçëm. Kjo që ndodhi sot ishte një përpjekje për të kaluar përgjegjësinë dhe për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik. Shqipëria është në provë nga BE dhe duhet të japë përgjigje për kushtet për të arritur të konferenca e parë. Kushti i dytë është reforma zgjedhore konsensuale.

“Pas detajeve teknike në Këshillin Politik fshihen platforma të qarta”

Shqiptarët duhet ta kuptojnë se pas këtyre detajeve krejt teknike fshihen platforma të qartë, të cilat synojnë që qytetarët të mos kenë mundësi zgjedhje. Sistemi i propozuar sot është një lloj forme e listës së hapur, por nuk është një listë e hapur”.

“Nuk jam i sigurt që opozita është kundër këtij sistemi”

“Qytetarët e Kosovës e kanë mundësinë e zgjedhjes së kandidatëve për deputet. Ata kanë një listë të hapur. Ata mund të vendosin se kush është i pari dhe me radhë. Mund të ndodhë që në parti të caktuara që drejtuesi politik nuk është numri 1, por mund të jetë edhe numri 101 dhe përsëri ka arritur të fitojë me votim. Ky model kaq i thjesht mund të aplikohet në Shqipëri. Kjo e sotmja është një përpjekje për të gjetur një nga format më të komplikuara për të mos ndryshuar asgjë. Unë nuk jam i sigurt që opozita është kundër këtij sistemi, pasi gati-gati të gjithëve u intereson që sistemi të mos hapet. Mekanizimi i sotëm është kaq i komplikuar saqë qytetari nuk do të kuptojë kush është përfaqësuesi i tyre në parlament. Ky është një produkt i kundërt me atë që është premtuar”.

“Ky sistem nuk garanton largimin e personave të korruptuar”

“Ky sistem nuk garanton largimin e personave të korruptuar për sa kohë lista do të jetë e hartuar nga kryetari dhe e deleguar për votim. Parti të caktuara mund të përdorin elementë të ligjit, për shembull duke kërkuar parti të vogël politike dhe t’u thonë këtyre individëve të fortë që të konkurrojnë me parti të vogla politike, fitoni dhe në këtë mënyrë largohet edhe përgjegjësia nga vetja”.

Çfarë ndryshimesh do të kemi me sistemin e ri?

“Me sistemin e ri dhe me atë që na është ofruar sot, do të kemi dy deri në 4 lista maksimumi, ku partitë do të jenë pjesë e një liste të përbashkët dhe qytetarët do të mundohen të zgjedhin Brenda tyre me një formula jashtëzakonisht të komplikuar. Aty do të ketë përcaktime për kuotat gjinore dhe ku partitë do të luftojnë brenda llojit për vende të caktuara. Kjo është vetëm një nxitje e modelit të klientelizimit”.

“Absurde që deputeti i PS flet në emër të OSBE-së”

“Në emër të OSBE-së këtu flet deputeti i partisë socialiste. Kjo është absurde që në koncept. Nuk mund t’u themi se ata nuk pyetën për këtë dhe nuk japin përgjigje. Por le të pyeten dhe të shohim se çfarë përgjigje do të japin. Ata japin gjithmonë përgjigje, por problemi është se përgjigja mund të mos jetë ajo se çfarë do mazhoranca apo ajo çfarë do opozita. Ata do të bazohen në standarde të zgjedhjeve dhe standardet janë të qarta. Nuk mund të ndryshohet baza në vitin e fundit elektoral. Prandaj palët po kapen në elementë të tillë". (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos