
Socialistët paraqitën në Këshillin Politik amendamentet e tyre për reflektimin në Kodin Zgjedhor të ndryshimeve kushtetuese, duke propozuar lista 100% të hapura. Përveç subjektit apo koalicionit, qytetari ka të drejtën e preferencës për një nga kandidatët. PS sugjeron që koalicionet të garojnë me listë të përbashkët ku kandidati ka në krah të emrit edhe logon e partisë që përfaqëson. Socialistët propozuan që pragu elektoral të jetë 3%, si për partitë dhe koalicionet, ndërsa kuotat gjinore do të ruhen duke sanksionuar 30% të grave në listën fituese të subjektit.
Opozita e Bashkuar nuk pranoi të diskutojë këto amendamente, duke paraqitur zyrtarisht kërkesën për t’iu drejtuar për mendim OSBE-ODHIR për koalicionet paraelektorale. Refuzimi i mazhorancës solli edhe largimin e tyre nga tryeza. Sipas opozitës parlamentare, me këtë draft është përsëri kryetari që përcakton fituesit në lista.
Socialistët shprehen të hapur për ndryshime, sidomos sa i përket renditjes së kandidatëve në lista. Pasi pritën për 30 minuta kthimin e PD dhe LSI në tryezë, socialistët u larguan nga ambientet e Pallatit të Kongreseve, ndërsa opozita jashtëparlamentare shpjegoi se kishte qenë në kontakt me partnerët për t’i shpjeguar situatën e re të krijuar. (A2 Televizion)