
Me anë të një postimi në Facebook, koordinatori i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi, ka reaguar ndaj draftit të propozuar nga mazhoranca këtë të premte në Këshillin Politik.
“Por kur sheh këtë propozimin e fundit të Edi Ramës për Kodin Zgjedhor thua me plot gojën të keqen e Lulzim Bashës. Nëse drafti, që është paraqitur sot nga Damian Gjiknuri, nuk është një provokim për të testuar reagimin e publikut dhe të aktorëve politikë, por do të miratohet i pandryshuar nga parlamenti, i bie që Shqipëria të bjerë nën nivelin e vitit 2008, kur u bënë ndryshimet e famshme kushtetuese, që çimentuan kryetarokracinë si regjim autokratik, të cilin po përpiqemi ta ndryshojmë. Që është antikushtetuese nuk ka asnjë dyshim, sepse i hedh në kosh të plehrave ndryshimet e shumëdiskutuara të 30 korrikut. Por ky nuk mund të jetë ngushëllim, sepse në një vend ku shkelja e Kushtetutës është kthyer në zakon politik nga të trija partitë kryesore, asgjë nuk bën më përshtypje”, shkruan Patozi.
Ai shkruan më tej se “i vetmi skenar optimist është që Edi Rama të tërhiqet e të mos e çojë deri në fund këtë palaçollëk dhe ndyrësi, që praktikisht vendos që në Shqipëri lejohen të ushtrojnë aktivitetin e tyre vetëm dy parti dhe ato dihet kush janë”. “Ne nuk e dimë se çfarë mendon për këtë çështje dhe nëse do ta pranojë apo jo Lulzim Basha, i cili mund të jetë ndoshta edhe më i avantazhuar se Edi Rama që drafti të kalojë në parlament. Por ai ta harrojë se dikush prej nesh do t'i lutet që të na lërë ashtu siç ishim, duke menduar se mund të bëhet edhe më keq, duke lexuar tekstin e poshtër dhe antikushtetues të Damian Gjiknurit”. (A2 Televizion)