
Gazetarja Fatjona Mejdini ishte e ftuar në Dita Jonë ku foli rreth problematikave të komunikimit mes autoriteteve dhe marrjes së informacioneve nga institucionet shtetërore.
Sipas Mejdinit, në vendin tonë është bërë e vështirë të marrësh informacion për shkak dhe të arrogancës së zyrtarëve që marrin mesazhe indirekte për mënyrën sesi sillen me median nga drejtuesit më të lartë duke arritur te kryeministri.
“Ka një zvogëlim të debatit të shëndetshëm në publik. Si gazetarë kemi vështirësi me marrjen e informacionit, më arrogancën e funksionarëve publikë, që fatkeqësisht nuk është vetëm kryeministri, por një vazhdë e gjerë funksionarësh publikë që kanë të njëjtën sjellje.
Dhe në fund të ditës është dhe kryeministri që përpiqet të intimidojë gazetarët, përpiqet t’iu vendosë epitete nga më të ndryshmet dhe në këtë mënyrë jo vetëm që dëmton komunikimin e drejtpërdrejtë me gazetarët, por jep dhe mesazhe te zyrtarët e tjerë. Është e rëndësishme të flasim për këtë. Në Shqipëri është bërë e vështirë të marrë llogari nga institucionet shtetërore”, tha Mejdini. (A2 Televizion)